Policia e Shqipërisë po vijon kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke përfunduar në lumin Mat. Drejtoria e Policisë në Dibër ka njoftuar se prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s po vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit J.K. “Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër (FNSH), Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare, të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët”, thuhet në njoftim. Ndërsa është bërë e ditur se deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 30-vjeçarit.