Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, ka reaguar për liçensimin e kompanisë CWP, e cila pritet të ngulë shtyllat e hekurit në Tropojë për të prodhuar 600 MW energji elektrike. Çejku shpreh dyshime për prezantimin zyrtar të këtij investimi si “amerikan” nga Kryeministri dhe Zëvendëskryeministri, duke theksuar se kompania nuk ka lidhje me SHBA-në, pasi ka bazë në Beograd dhe është e suksesshme në fushën e energjisë së rinovueshme në Ballkan. “Kur një kompani serbe i vishet ambalazhi ‘made in USA’, shtohen dyshimet mbi arsyen e këtij mashtrimi publik”, ka deklaruar Çejku. Ai thekson se investime strategjike të tilla duhet të bëhen me transparencë institucionale dhe dialog me qytetarët që preken direkt nga projekti. Ish-ambasadori sugjeron gjithashtu që Tropoja mund të ketë mundësi të tjera investimi, duke përfshirë biznesmenë shqiptarë në SHBA, të cilët mund të sillnin kompani të vërteta amerikane për këtë projekt./Telegrafi.