Nga agrobiznesi te rival i Shakhtarit për titull: Historia e LNZ Cherkasy dhe ndikimi i Muharrem Jasharit

Një nga surprizat më të mëdha të futbollit ukrainas këtë sezon është FC LNZ Cherkasy, klub që deri para pak vitesh nuk bënte pjesë as në futbollin profesional, ndërsa sot ndan kreun e renditjes me gjigantin Shakhtar Donetsk. Në qendër të këtij suksesi është edhe mesfushori kosovar Muharrem Jashari, një nga figurat kyçe të skuadrës. Jashari po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës së tij: në 14 paraqitje kampionale ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke qenë lider në mesfushë dhe një nga lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit. Përvoja e tij, qetësia me topin dhe aftësia për të lidhur repartet e kanë shndërruar në një pikë referimi për LNZ Cherkasy në garën historike për titull. Një klub që sfidon realitetin e futbollit ukrainas Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, futbolli vendas ka pësuar goditje të rënda ekonomike dhe strukturore. Klubet historike si Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Kiev kanë parë rënie drastike të të ardhurave. Shakhtari, që para vitit 2022 operonte me buxhet 120–150 milionë euro, sot mezi kalon shifrën 70 milionë, ndërsa Dinamo ka zbritur në një minimum historik prej 18 milionë eurosh në sezonin 2023/24. Në këtë ambient të paqëndrueshëm, LNZ Cherkasy po shfaqet si një model stabiliteti financiar, transparence dhe rritjeje sportive. Nga fushat amatore te profesionalizmi Klubi u themelua më 23 prill 2006 nga Dmytro Kravchenko, president i grupit agro-industrial LNZ Group, fillimisht si një ekip amator për banorët e qytetit Shpola. Nën emrin FC Shpola-LNZ-Lebedyn, skuadra garoi në ligat amatore dhe më pas u zhvendos në Lebedyn, ku u bë forcë dominuese në kampionatet rajonale gjatë viteve 2010. Hapi vendimtar erdhi mes viteve 2020–2021, kur klubi u zhvendos në Cherkasy, mori emrin aktual dhe nisi të luajë në Cherkasy Arena (10,000 vende). Në sezonin 2021/22 siguroi ngjitjen në Persha Liha, ndërsa vetëm një vit më vonë avancoi në elitën e futbollit ukrainas pas playoff-it kundër Inhulets, falë golave vendimtarë të Ivan Tyschenko. View this post on Instagram A post shared by FC LNZ (@fclnz) Konsolidimi dhe ëndrra për titull Sezoni i parë në Premier League nën drejtimin e trajnerit bjellorus Oleg Dulub u mbyll në vendin e shtatë, një sukses i madh për një debutues. Megjithatë, sezoni 2024/25 ishte më i vështirë, me përfundim në vendin e 12-të dhe pikëpyetje për të ardhmen e klubit në elitë. Gjithçka ndryshoi verën e kaluar. Trajneri Vitaliy Ponomaryov mori drejtimin e ekipit dhe u realizua një rindërtim i thellë i skuadrës. Një nga zbulimet ishte nigeriani Prosper Obah, i cili shënoi 7 gola dhe dha 3 asistime në 15 ndeshje, përpara se të transferohej te Shakhtar Donetsk për 4.5 milionë euro gjatë afatit dimëror. Sot ekipi është lider me 35 pikë, aq sa Shahtari, duke arritur 11 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. LNZ në krye – dhe Jashari si bosht i mesfushës Pavarësisht largimit të golashënuesit më të mirë, LNZ Cherkasy vazhdon të jetë në krye të renditjes pas 16 xhirove, me 35 pikë, po aq sa Shakhtar Donetsk. Një arritje historike për një klub që deri dje nuk ishte as profesionist. Në këtë rrugëtim, përvoja e Muharrem Jasharit, shpejtësia e mbrojtësit të majtë kosta-rikan Jewison Bennette, si dhe qëndrueshmëria e kapitenit Nazariy Muravskyi, janë faktorë kyç që mbajnë ekipin konkurrues. View this post on Instagram A post shared by FC LNZ (@fclnz) Nga një projekt agrobiznesi në një pretendent serioz për titull, LNZ Cherkasy po shkruan një nga historitë më të bukura të futbollit ukrainas – dhe Muharrem Jashari është tashmë pjesë e pandashme e saj. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore