Ky është momenti kur zhytëse me maskë u sulmua dhe u kafshua në këmbë nga një peshkaqen ndërsa po zhytej në Brazil. Pamjet e tmerrshme tregojnë disa peshkaqenë që notojnë rreth Tayane Dalazen, përpara se njëri prej tyre të hidhet drejt saj dhe t'i kapë këmbën. 36-vjeçarja mund të shihet duke u lëkundur, në një përpjekje të dëshpëruar për t'u larguar nga grabitqari që kishte filluar ta tërhiqte poshtë drejt shtratit të detit, transmeton Telegrafi. Duke folur pas sulmit, në arkipelagun Fernando de Noronha të Brazilit, Dalazen tha se e kuptoi menjëherë se çfarë kishte ndodhur dhe shpjegoi se si kafsha ia mbajti këmbën. "E dija që më kishin kafshuar. E ndjeva duke më tundur nga këmba. Guida duhej ta godiste që të më linte të shkoja", tha ajo. Dalazen ishte me dy shoqe dhe e shoqëruar nga një guidë turistike kur ndodhi sulmi. Pasi doli nga uji, ajo u ndihmua nga guida dhe nga zhytësit që ishin në anije aty pranë përpara se të merrte ndihmën e parë nga miku i saj dermatolog, i cili ia pastroi plagën. 36-vjeçarja u dërgua më pas në spital, ku mori trajtim dhe më vonë u lirua. Fotografitë e shpërndara më pas tregojnë dëmtimin, të cilin Dalazen pretendoi se nuk ishte shumë i thellë. Megjithatë, fotot e tmerrshme tregojnë plagë të shumta shpimi në këmbën e saj nga dhëmbët e peshkaqenit. /Telegrafi/