Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës, ku një automjet ka përplasur disa mjete të parkuara anës rrugës. Sipas informacioneve, rreth orës 19:30, në rrugën “Josif Budo”, shtetasi F. K., 24 vjeç, banues në Kavajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që po drejtonte. Si pasojë, ai ka goditur katër automjete të parkuara. Nga aksidenti, drejtuesi i mjetit ka pësuar lëndime të lehta dhe është transportuar në spital për kontroll mjekësor, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka dalë grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.