Rama për koalicionin LVV-LDK: Çdo marrëveshje që i shërben qytetarëve është e mirëpritur, nuk synoj postin e kryetarit të partisë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për mundësinë e një bashkëpunimi politik mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në nivel qendror, duke theksuar se mbështet çdo konfigurim qeverisës që do të ishte në funksion të interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit. Sipas Ramës, legjitimiteti i të zgjedhurve buron nga vota e qytetarëve dhe, si i tillë, çdo koalicion që synon transformimin pozitiv të Kosovës duhet të shihet si i pranueshëm. “Unë po them që mendoj që të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet, në vend, në Kosovë janë rezultat i votave të qytetarëve për të mirën e Kosovës. Çfarëdo koalicioni që hap procese për ta transformuar vendin tonë për të mirë janë të mirëseardhura”, u shpreh Rama. Megjithatë, ai nuk e fshehu përvojën e tij kritike me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë mandatit në krye të Komunës së Prishtinës, duke thënë se bashkëpunimi me këtë subjekt politik në të kaluarën ka qenë i vështirë. “Sa kam qenë në komunë nuk kam pasur eksperiencë të mirë, sepse në dy vitet e para jam munduar të bashkëpunoj, por kanë qenë sabotues e bllokues. Megjithatë, uroj që tash të jenë bashkëpunues, sepse shoqëria nuk ecën përpara me sabotime”, tha ai. I pari i Kryeqytetit ka hedhur poshtë mundësinë që të marrë drejtimin e LDK-së, duke theksuar se brenda kësaj partie ka kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr procese të rëndësishme politike. “Kam theksuar edhe më herët se jam kryetar i Kryeqytetit dhe kam mandat katërvjeçar. Brenda partisë kemi njerëz të mrekullueshëm që mund të çojnë procese përpara dhe nuk mendoj se kanë nevojë për mua në këtë drejtim”, u shpreh Rama. Ai shtoi se mbetet i gatshëm të kontribuojë për partinë, nëse një gjë e tillë do të kërkohej, por se prioritet absolut mbetet qeverisja lokale dhe shërbimi ndaj qytetarëve të Prishtinës. “Unë jam këtu për kryeqytetin, për qytetarët e kryeqytetit. Jam aty për ndihmë për çfarëdo nevoje, por fokusi im është Kryeqyteti”, theksoi ai. Rama foli gjithashtu edhe për situatën e krijuar nga vërshimet në disa zona të Prishtinës, duke bërë të ditur se Komuna ka ndërmarrë masa emergjente për familjet e prekura. “Tashmë u kemi bërë zgjidhje familjeve që janë prekur nga vërshimet, duke u gjetur banesa me qira. Këto probleme janë ardhur nga vetë njeriu, si rezultat i ndërtimeve pa leje”, përfundoi Rama. / Telegrafi /