Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 20 korrik 2025 – 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka vepruar me dashje me qëllim të përfitimit material. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se mjeku ka lëshuar raporte mjekësore pa bazë shëndetësore, duke u mundësuar pacientëve përfitime të kundërligjshme. “I pandehuri ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, duke e ditur se personat në fjalë nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, madje i ka pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojë, me qëllim që këto raporte të përdoren për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës”, thuhet në njoftim. Po ashtu, sipas Prokurorisë, A.V. dyshohet se ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë dhe më pas ka pranuar përfitime financiare. “Pas lëshimit të raporteve mjekësore, i pandehuri ka pranuar dobi pasurore – para në shuma që variojnë nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thekson Prokuroria. Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që mjeku A.V. të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet sanksioni penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/