Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.Th., para pranimit të kërkesës për ekstradim, në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Sipas njoftimit, kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbi dyshimin e bazuar se E.Th. është i dënuar nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë për disa vepra të rënda penale. Prokuroria Speciale bën të ditur se E.Th. është dënuar për veprat penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përfshirë: Trafikimin e narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, masa e paraburgimit është kërkuar me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit deri në përfundimin e procedurave për ekstradim drejt Republikës së Shqipërisë. /Telegrafi/