I preferuari i basteve për rolin e James Bondit, Callum Turner, u shfaq këtë fundjavë në një shëtitje të thjeshtë me qenin në Londër, krah të fejuarës së tij Dua Lipa, vetëm pak ditë pasi u pretendua se roli i agjentit 007 tashmë është i tij dhe se këngëtarja pritet të shkruajë këngën tematike të filmit të ri. Burime për DailyMail kanë bërë të ditur se Callum, i cili konsiderohet favorit absolut për ta pasuar Daniel Craigun, u ka thënë miqve të tij se roli tashmë i është konfirmuar. Një burim i afërt me yllin e “Fantastic Beasts” ka deklaruar: “Ai po e tregon kudo. Callum është Bondi i ri, është konfirmuar. Të gjithë në rrethin e tij po flasin për këtë. Është sekreti më i keq i ruajtur në qytet”. Nëse Callum, 35 vjeç, merr zyrtarisht pistoletën ikonike Walther PPK të 007-s, producentët e Amazon mund të mbyllin një marrëveshje “dy në një” edhe me Duan, duke i besuar asaj këngën e re për titrat hyrës dhe mbyllës të filmit. Mes këtyre thashethemeve, çifti u pa duke kaluar kohë së bashku në një shëtitje në një ditë të ftohtë londineze. Dua u shfaq elegante si gjithmonë me një pallto trench ngjyrë krem dhe syze dielli, ndërsa Callum ishte veshur trashë me një xhaketë të zezë dhe kapele. Dua, 30 vjeçe, e cila më herët kishte realizuar këngën “Swan Song” për filmin fantastiko-shkencor “Alita: Battle Angel” në vitin 2019, është e etur të bëhet pjesë e universes së Bondit, duke ndjekur hapat e Adele, Billie Eilish dhe Sam Smith. Sipas burimit: “Dua është jashtëzakonisht e lumtur për Callumin. Ajo ka thënë se do të donte shumë ta regjistronte këngën e Bondit”. Callum Turner, i rritur në një lagje sociale në Londër, e nisi karrierën si model për “Next”, përpara se të merrte famë me rolin e Theseus Scamander në filmat “Fantastic Beasts: The Crimes of Grindelwald” dhe “The Secrets of Dumbledore”. Ai mori vlerësime të mëdha për rolin në filmin “The Boys In The Boat” të vitit 2023, të drejtuar nga George Clooney, si dhe për interpretimin e Major John “Bucky” Egan në serialin “Masters Of The Air” të Apple TV, prodhuar nga Steven Spielberg dhe Tom Hanks. Ai dhe Dua nisën lidhjen në janar të vitit 2024 dhe u fejuan verën e kaluar, megjithatë ende nuk kanë shpallur një datë dasme. Dyshja shtoi edhe më shumë zërat për Bondin pasi pushuan në Goldeneye në Xhamajkë, ish-pronë e shkrimtarit të James Bondit, Ian Fleming. Një burim ka thënë: “Nëse është Callumi, ai do të ishte një zgjedhje shumë popullore. Ai ka pamjen dhe elegancën për Bondin dhe ka dëshmuar aftësitë e tij si aktor”. Filmi i ardhshëm i sagës, i njohur për momentin si “Bond 26”, pritet të jetë një nga projektet më të shumëpritura të Hollivudit, pasi kanë kaluar katër vjet nga “No Time To Die”. Xhirimet mund të nisin këtë vit, ndërsa premiera është parashikuar për vitin 2027. Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson, që e kanë kontrolluar prej vitesh franshizën përmes Eon Productions, ia shitën të drejtat e Bondit Amazonit për rreth 1 miliard dollarë në shkurt të vitit të kaluar. Shefi i Amazonit, Jeff Bezos, përshkruhet si një “fans i madh” i agjentit sekret, dhe një burim nga kompania e tij ka thënë: “Jeff është i përfshirë nga afër në çdo aspekt të së ardhmes së Bondit. Ai nuk dëshiron të gabojë. E di sa shumë do të thotë Bond për njerëzit. Kushdo që zgjidhet duhet të jetë perfekt. Skenari duhet të jetë spektakolar, me të gjitha elementet klasike të Bondit, aksion, vajza të bukura dhe energji të re për një brez të ri”. “Bond 26” po shkruhet nga krijuesi i “Peaky Blinders”, Steven Knight, dhe do të mbikëqyret nga regjisori i “Dune”, Denis Villeneuve. Më herët, burime nga studio kishin thënë se skenari po shkruhej pa një aktor të caktuar në mendje, por se Bezos dhe Villeneuve kërkonin dikë “të ri dhe britanik” për rolin. Së fundmi, Turner është ngjitur në krye të listës së basteve, duke lënë pas emra si Aaron Taylor-Johnson, James Norton dhe Idris Elba. Dua Lipa ka refuzuar të komentojë, ndërsa Amazon dhe Callum Turner nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar. /Telegrafi/