Galatasaray ka dërguar një ofertë zyrtare për Arbër Hoxhën, por Dinamo Zagrebi nuk është i gatshëm ta shqyrtojë largimin e sulmuesit shqiptar në këtë fazë të sezonit. Sipas raportimeve te mediave turke dhe kroate, gjiganti kroat e konsideron Hoxhën një pjesë shumë të rëndësishme të skuadrës dhe planifikon ta mbajë atë edhe për pjesën pranverore të kampionatit. Brenda klubit vlerësohet kontributi i tij në fazën vjeshtore dhe pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë rol kyç edhe në muajt në vijim. Edhe pse Galatasaray ka shfaqur interes konkret, një transferim aktualisht nuk është në tryezë. Raportohet se një ofertë më bindëse nga Fenerbahçe – në një marrëveshje të mundshme që lidhet edhe me portierin Dominik Livaković (Fenerbahce) – do të ishte më e pranueshme për Dinamon, por situata mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një propozim financiar i konsiderueshëm para mbylljes së afatit kalimtar. Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në ligën vendase ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime. Me Kombëtaren e Shqipërisë, ai numëron 21 paraqitje dhe 1 gol. #TRANSFER Galatasaray, rotasyonu güçlendirmek adına Dinamo Zagreb’in Arnavut milli yıldızı Arbër Hoxha için resmi teklif yaptı. Yönetim, bu transferle kulübe zenginliği yaratmayı hedefliyor. ? pic.twitter.com/6Sh7uILD2G — Spor Bülteni (@sporbultenicom) January 13, 2026 Kontrata e 27-vjeçarit me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera e tij aktuale në treg, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Përveç Galatasarayt, interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Hull City. Dinamo Zagrebi e kishte transferuar Hoxhën në janar të vitit 2024 për një shumë të raportuar rreth 1 milion euro ./Telegrafi/