Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka ngritur alarmin për rritjen e vazhdueshme të inflacionit në vend. Duke komentuar të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, Rafuna tha në TV Dukagjini se rritja mesatare vjetore (për 2025-tën) e inflacionit prej 3,9 për qind është shqetësuese dhe shumë më e lartë krahasuar me vendet e Evropës. “Shpresojmë që qeveria e re që do të themelohet ta ketë një paketë që do ta ndihmojë qytetarët që ta vërejnë sa më pak të inflacionit., kemi rritje të inflacionit 3.9, besoj shumë që në rishikim nga ana e ASK-së do të kalojë edhe 4 për qind. Që kemi inflacion më të larët jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Në Evropë tani norma e inflacionit sillet rreth 1.2 deri në 1.3, ndërsa tek ne ka arritur 3.9 dhe do të kaloj edhe 4 përqindëshin. Kjo ka qenë e pritur, nëse iu kujtohet shumë herë e kemi shprehur shqetësimin për marrjen e vendimit për nxjerrjen e bizneseve në tregun e hapur (të energjisë). Çmimi i energjisë elektrike siç po shihet edhe nga të dhënat e ASK-së është një prej rritjeve më të larta. Kjo ka ndikuar që të kemi një inflacion të tillë. Dhe kjo nënkupton që kemi një varfërim të qytetarëve, ulje të standardit jetësor. Për këtë arsye është urgjente që të ndërmerret një paketë që të zbutet inflacioni dhe të mos ta lejojmë që të shkoj edhe më lartë”, ka thënë Rafuna.