Specialja reagon pas letrës së Avokatit të Popullit për dokumentet serbe në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale ka reaguar pas pranimit të letrës së Avokatit të Popullit, Naim Qelajt, lidhur me pranimin e dokumenteve që burojnë nga autoritetet serbe në rastet ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në reagimin e saj, Gjykata Speciale thekson se vendimi për pranimin e provave nuk nënkupton automatikisht peshën apo besueshmërinë që do t’u jepet atyre gjatë vendimmarrjes finale, raporton Insajderi. Sipas Gjykatës, gjatë hartimit të aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë individualisht, duke e shqyrtuar atë në kontekst të tërësisë së provave të administruara gjatë gjykimit. “Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet në reagim. Po ashtu, Gjykata Speciale thekson se pranimi i një prove nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të përdoret si bazë për aktgjykimin përfundimtar. “Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre”, thuhet më tej. Ky reagim vjen pasi Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime serioze lidhur me pranimin e dokumenteve zyrtare që, sipas tij, pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat kanë ushtruar juridiksion mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Në letrën e tij, Qelaj ka theksuar se kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ka qenë i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. “Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre, përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit. Një vendim i gjykatësve për të pranuar prova, nuk do të thotë se gjykatësit duhet të mbështeten në to për aktgjykim. Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara, dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre. pic.twitter.com/0TbiUVAUYL — Dhomat e Specializuara të Kosovës (@Dhomat_e_Spec) January 13, 2026