Mbi tri orë në takim, çfarë po ndodh në LDK?

Takimi i kryesisë së ngushtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili ka nisur para më shumë se tri orë e gjysmë, ende nuk ka përfunduar. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është duke zhvilluar diskutime me nënkryetarët e partisë dhe disa nga figurat kyçe të saj lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, si dhe hapat që pritet të ndërmerren në vijim. Zyrtarë të LDK-së kanë deklaruar para nisjes së takimit se bëhet fjalë për një takim konsultues, në të cilin do të bëhet një analizë dhe balancë e rezultatit zgjedhor të partisë. Ata janë shprehur të rezervuar për të komentuar mundësinë e dorëheqjes së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se diskutimet janë ende në zhvillim. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.11 për qind të votave, që përkthehen në 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.