Shumica parlamentare nuk ka vendosur akoma nëse do të ketë ose jo debat publik të organizuar në Kuvend, me pjesëmarrjen e ekspertëve, për ndryshimet e propozuara të Kodit Penal. Edhe pse një ditë më parë dukej se kishte një pajtueshmëri edhe nga pushteti në kërkesën e LSDM-së për debat në prani të ekspertëve, një vendim i tillë nuk është marrë akoma. Nga VLEN vlerësojnë se debat duhet të ketë për Kodin e ri Penal që do të përgatitet ndërkohë. “Ky ndryshim i Kodit Penal është korrigjimi i ndryshimeve të qeverisë totalisht të dështuar të BDI-së në qershor të 2023-shit. Ne e dimë se sa u përfol dhe dëmet që sollën ata ndryshime dhe duhet kujtuar se ndryshimet e shtatorit, 2023 nga qeveria e BDI-së u bënë për të shpëtuar Sashi Mijallkovin, Gruevskin dhe Ramiz Merkon. Pra, Ramiz Merko nga 30 padi, mbeti me 9 padi penale sepse një pjesë ju vjetërsuan. Sasho Mijallkovit ju vjetërsuan sepse Enver Bexheti la në sirtarë shumë lëndë… Nuk ka nevojë tani sepse diku në maj ose qershor pritet të kemi një Kod të ri penal dhe unë mendoj që atëherë do të ketë debat publik”, tha Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it. Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal që ndodhen në Kuvend, janë një përpjekje për rikthimin e dispozitave të shfuqizuara më shumë se dy vite më parë, me të cilat u lehtësuan ose u shfuqizuan dënimet për personat zyrtar në rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Po ata ndryshime mundësuan vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore. Ligjvënësi, në vitin 2023, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ndërhyri në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” Neni 353, në mënyrë të tillë që u fshi një nga tre veprimet e kryerjes së këtij krimi, që është kryerja e krimit duke përfituar nga pozicioni ose autoriteti zyrtar. Me këtë ndërhyrje, aktualisht ekzistojnë vetëm dy veprime të kryerjes në veprën penale të lartpërmendur: nëse “do të ndërmarrë një veprim zyrtar me të cilin do të tejkalojë kufijtë e autoritetit të tij zyrtar ose nuk do të kryejë detyrën e tij zyrtare”. Sipas propozuesit, tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara tani është të përmirësojë dispozitat mbi personat juridikë dhe të shtrëngojë politikën penale duke rritur dënimet ekzistuese të përcaktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 353, dhe “Bashkim kriminal” nga Neni 394. Ndryshimet janë kërkesë e pakompromis e Komisionit Evropian si pikë e Agjendës së Reformave.