Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do ta ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti, ndërsa vendimi për pranimin ose jo të saj do të merret përmes votës së delegatëve. Këto deklarata Abdixhiku i bëri pas një mbledhjeje disaorëshe të mbajtur të martën me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së. Ai theksoi se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë të vendosë për këtë çështje. Abdixhiku tha se çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të kandidojë individualisht për postin e kryetarit, duke nënvizuar se partia mbetet e bashkuar dhe se të gjitha vendimet do të formalizohen përmes organeve partiake. Ai sqaroi se takimi i së martës ka qenë joformal, ndërsa mbledhja e parë formale do të jetë ajo e Kryesisë së LDK-së, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme. Pas saj, do të thirret edhe Kuvendi i partisë. “LDK-ja është unike dhe e bashkuar. Çështjet shtrohen në konsultime të tilla dhe më pas formalizohen në organet partiake. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa pas saj do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku. Ai shtoi se nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i obliguar të vazhdojë detyrën e kryetarit, duke theksuar se shmangia nga vendimi i anëtarësisë do të ishte e papërgjegjshme. “Çdo vendim që do të merret do të jetë vendim i përbashkët dhe në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së”, u shpreh ai. LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit regjistroi një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj, duke u renditur e treta me 13.23 për qind të votave./Telegrafi.