Talenti nga Kosova që luan te Rijeka, Dominik Thaqi pëlqehet nga gjiganti holandez Ajax

Ajax ka nisur një interes konkret për talentin e ri shqiptar Dominik Thaqi, futbollist i Rijekës, duke e futur atë në radar për të ardhmen. Lajmi është konfirmuar nga agjenti i lojtarit, Matej Skegro, i cili bëri të ditur se klubi nga Amsterdami ka pyetur për situatën e Thaqit që nga dita e martë. Thaqi i përket gjeneratës 2007–2008 dhe ende nuk është titullar i rregullt, por shihet si një projekt shumë premtues për shumë klube. Më parë, edhe Liverpooli e ka monitoruar nga afër përmes skautëve. Pikërisht për këtë arsye, disa klube evropiane – përfshirë Ajaxin – po tentojnë ta sigurojnë herët, para se vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm. Ajax njihet për filozofinë e tij të investimit në talente të reja dhe zhvillimin e tyre afatgjatë, ndërsa profili i Thaqit përputhet me këtë strategji. Interesimi aktual konsiderohet kryesisht si fazë vëzhgimi dhe informimi, por nuk përjashtohet që në muajt e ardhshëm të konkretizohet me hapa më seriozë. Para disa muajsh, Thaqi ishte kontaktuar nga FFK për të luajtur për Kosovën, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje . Aktualisht, ai aktivizohet me Kroacinë U19. /Telegrafi/