Angazhimi i Monika Kryemadhit si opinioniste në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania” ka pasur ndikim jo vetëm në ekran, por edhe në kalendarin e drejtësisë. Ish-bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta ka bërë të ditur se për shkak të pjesëmarrjes së saj në spektaklin e Top Channel, është detyruar të kërkojë ndryshim të orareve të seancave gjyqësore që lidhen me dosjen Meta–Kryemadhi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kryemadhi i është drejtuar gjyqtares Irena Gjoka me kërkesën që seancat të mos zhvillohen ditëve të martë, për shkak se atë mbrëmje ajo është e angazhuar me “prime”-in e Big Brother VIP Albania, si dhe të mos mbahen as të mërkurave në mëngjes, pasi emisioni përfundon vonë gjatë natës. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, duke sjellë një riorganizim të plotë të kalendarit të procesit gjyqësor. - YouTube youtube.com Si rezultat, të gjitha seancat e ardhshme për këtë çështje do të zhvillohen ditëve të enjte, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 22 janar. Vetë Kryemadhi ka konfirmuar publikisht se gjyqtarja e ka marrë parasysh angazhimin e saj televiziv gjatë marrjes së këtij vendimi. “Seanca tjetër u la në datën 22. Bëra një kërkesë se donin ta linin ditë të martë. Gjyqtarja e pranoi kërkesën time që ditën e martë që kam prime në Big Brother të mos kemi seancë gjyqësore. As të mërkurën në mëngjes se shkon prime shumë vonë. Që kështu ne do të kemi seancë çdo të premte”, ka deklaruar Monika Kryemadhi, duke zbuluar prapaskenat e këtij ndryshimi të pazakontë. Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta, pasi rrallë ndodh që një format televiziv të ndikojë drejtpërdrejt në agjendën e një procesi gjyqësor, duke e bërë rastin Meta–Kryemadhi edhe më të komentuar në opinionin publik. /Telegrafi/