Torino eliminoi Romën nga Kupa e Italisë në ndeshjen që u shënuan pesë gola

Torino ka shkaktuar befasi të madhe në Kupën e Italisë, duke eliminuar Romën me fitore 3-2 pas një ndeshjeje dramatike, të vendosur në minutat e fundit në “Stadio Olimpico”. Skuadra mike kaloi e para në epërsi në minutën e 35-të, kur Nikola Vlašić lëshoi një pasim perfekt në hapësirë për Che Adams, i cili pa portierin jashtë pozicionit dhe e dërgoi topin me qetësi në këndin e poshtëm për 0-1. Roma pati disa raste për të barazuar në pjesën e parë, por mungoi konkretizimi. Vetëm 46 sekonda pas rifillimit të pjesës së dytë, Roma reagoi. Leon Bailey asistoi për Mario Hermoson, i cili nga brenda zonës realizoi për 1-1, duke rikthyer shpresën për vendasit. Megjithatë, Torino u rikthye shpejt në avantazh. Në minutën e 52-të, pas një aksioni të ndërtuar nga Vlasic, Che Adams shënoi golin e tij të dytë personal me një goditje të saktë për 1-2. Roma nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të arriti barazimin. Wesley França krosoi bukur nga krahu, ndërsa Antonio Arena u shkëput mirë në zonë dhe me kokë shënoi për 2-2, duke e çuar ndeshjen drejt një fundi të tensionuar. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Torino goditi në momentin vendimtar. Në minutën e 90-të, pas një topi të kthyer nga portieri, Emirhan İlkhan reagoi më shpejt se të gjithë dhe e shtyu topin në rrjetë për 2-3, gol që vulosi eliminimin e Romës nga Kupa e Italisë. Në minutat shtesë, Roma tentoi me ngulm të barazonte, me Antonio Arenën që ishte shumë pranë golit në minutën e 90+4’, por goditja e tij përfundoi pak centimetra jashtë shtyllës. Kështu, Torino siguron kualifikimin dhe vazhdon rrugëtimin në Kupën e Italisë, ndërsa për Romën kjo humbje përbën një tjetër goditje të rëndë sezonale dhe një eliminim zhgënjyes para tifozëve të saj. /Telegrafi/