Xabi Alonso u shkarkua nga detyra e trajnerit të Real Madridit të hënën, ndërsa në vend të tij u emërua Alvaro Arbeloa, ish-lojtari i klubit që deri më tani kishte punuar me ekipet e të rinjve. Vendimi i klubit ka shkaktuar zemërim te një pjesë e madhe e tifozëve, por edhe reagime të forta dhe kritika nga media spanjolle dhe ish-lojtarë të Real Madridit. Gazeta Marca, më e lexuara sportive në Spanjë, i ka kushtuar largimit të Alonsos një artikull të gjatë në faqen e parë me titullin: “Dita kur Xabi u rrëzua dhe gjithçka shkoi për dreqi: ‘Nuk e dija që do të vija të stërvisja fëmijë kopshti!’”. Në këtë shkrim përshkruhet momenti kur marrëdhënia mes trajnerit dhe një pjese të madhe të skuadrës u thye përfundimisht, gjatë një seance stërvitore në muajin nëntor. Fraza që ndryshoi gjithçka Sipas Marcas, përçarja mes ekipit dhe Xabi Alonsos pas dyerve të mbyllura ishte tashmë e dukshme. Distanca mes palëve po rritej gradualisht, derisa situata shpërtheu. Gjatë një seance stërvitore, Alonso humbi kontrollin dhe u bërtiti lojtarëve: “Nuk e dija që po vija të stërvisja një çerdhe!” Nuk ishte një paralajmërim i zakonshëm për të tronditur skuadrën, as një shpërthim i çastit zemërimi, por një britmë dëshpërimi, rraskapitjeje dhe frustrimi. Alonso ishte prej kohësh i irrituar, pasi mendonte se lojtarët nuk po i përmbushnin kërkesat e tij, sidomos ato që kishin të bënin me aspektin taktik dhe disiplinën në stërvitje. “Fytyra të zymta, mungesë përqendrimi, pëshpëritje… derisa ai shpërtheu dhe shqiptoi fjalinë që shënoi fillimin e fundit. Ai tha me zë të lartë atë që kishte menduar prej kohësh dhe hapi një plagë në marrëdhënien me ekipin që nuk u mbyll më kurrë”, shkruan Marca. Mbingarkesë taktike dhe informacion i tepërt Lojtarët, nga ana tjetër, i konsideronin seancat stërvitore të Alonsos tepër të vështira nga ana taktike dhe ankoheshin se u ngarkohej shumë informacion në një kohë të shkurtër. Zelli i tepruar i Xabit në punën taktike, obsesioni me detajet dhe korrigjimet e vazhdueshme, sipas raportimeve, krijuan lodhje edhe te stafi i tij teknik. Pakënaqësi kishte edhe ndaj asistentëve, veçanërisht ndaj Sebas Parrilla, ndihmësit kryesor të Alonsos. Prania e shumë personave që jepnin udhëzime dhe monitoronin çdo detaj i bënte lojtarët të ndiheshin nën presion dhe në siklet. Atmosfera e punës u përkeqësua ditë pas dite dhe konsumimi psikologjik filloi të ndihej gjithnjë e më shumë. Megjithatë, Xabi Alonso i shihte gjërat krejtësisht ndryshe. Kupa e parë e Botës për Klube, e ndjekur nga një rikthim i menjëhershëm në garë, pothuajse pa përgatitje, sipas tij i kishte lënë shumë pak hapësirë për të punuar mbi idetë që dëshironte t’i implementonte te Real Madridi. Ai mendonte se kishte shumë gjëra për t’u ndryshuar dhe korrigjuar dhe se i duhej çdo minutë e çdo seance stërvitore për ta përcjellë këtë te ekipi. “Xabi e dinte se skuadra ishte larg asaj që ai kishte në mendje dhe se procesi duhej përshpejtuar. Por ky ritëm pune dhe përvetësimi i koncepteve të reja hasnin në vështirësi në dhomën e zhveshjes. Palët nuk ishin në të njëjtën gjatësi vale dhe jeta e përditshme po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Xabi ishte i pakënaqur me lojtarët dhe lojtarët ishin të pakënaqur me Xabin”, shton Marca. Emri i Arbeloas filloi të qarkullojë Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, thashethemet për Alvaro Arbeloan nisën të qarkullojnë gjithnjë e më shpesh në dhomat e zhveshjes. Emri i tij shihej si një zgjidhje e mundshme për të ardhmen dhe prania e tij rreth ekipit të parë po bëhej gjithnjë e më e dukshme. Qoftë sepse klubi kishte filluar ta testonte këtë opsion, apo sepse vetë lojtarët e vërenin, fakti që Arbeloa – si trajner i Castillas – ishte rregullisht i pranishëm në stërvitjet e ekipit të parë, shtoi pasigurinë dhe dyshimet. Në këtë klimë të tensionuar erdhi edhe kriza e rezultateve. Real Madridi humbi stabilitetin e pakët që kishte dhe problemet nisën të grumbulloheshin. Edhe pse në momentet e fundit skuadra u përpoq të qëndronte e bashkuar për të kapërcyer situatën dhe për të shmangur shkarkimin e Alonsos, por diçka ishte thyer tashmë. Dyshimet dhe trazirat nga dhoma e zhveshjes u reflektuan edhe në nivelet më të larta të klubit dhe kthim pas nuk kishte më. Superkupa u bë pika e fundit, por, siç përfundon Marca, britma në stërvitje ishte në fakt fillimi i fundit. /Telegrafi/