Kapelat dhe shallet janë të pashmangshme, por ja si t’i shpëtoni flokët e elektrizuar

Një kapelë mjafton për ta prishur frizurën, por zgjidhja është më afër se sa mendoni. Ja çfarë funksionon realisht kundër flokëve të elektrizuar Dimri dhe veshjet me shumë shtresa që e karakterizojnë këtë stinë shpesh janë të pamëshirshme ndaj flokëve tanë. Me uljen e temperaturave, është koha të nxjerrim nga gardëroba kapelat prej leshi, beretat dhe shallet gjithnjë e më të preferuara. Megjithatë, këta aksesorë trendi sjellin me vete edhe një problem irritues. Fërkimi që krijohet mes leshit ose materialeve sintetike dhe fibrave të flokëve, i kombinuar me ajrin e ftohtë dhe të thatë të dimrit, çon në dehidratim të menjëhershëm. Rezultati është i njohur për të gjithë: flokët elektrizohen, bëhen të pabindur dhe “fluturojnë” në të gjitha drejtimet. Për fat të mirë, ekziston një truk jashtëzakonisht i thjeshtë që ju lejon t’i përballoni temperaturat e ulëta pa sakrifikuar stilin. Nuk keni nevojë për produkte të shtrenjta, as për një rutinë të ndërlikuar me shumë hapa. Zgjidhja ka shumë gjasa të ndodhet tashmë në çantën tuaj. Kur hyni në një ambient të mbyllur, hiqni kapelën dhe vini re se flokët janë bërë të pabindur, mjafton të merrni një sasi shumë të vogël kremi për duar, sa një kokërr bizele. Sekreti qëndron te aplikimi: fërkojeni kremin mes pëllëmbëve për ta ngrohur dhe shpërndarë njëtrajtshëm, pastaj kaloni lehtë duart mbi gjatësinë e flokëve dhe majat, pa i rënduar ato, transmeton Telegrafi. Pse funksionon ky truk? Kremi vepron në dy drejtime: siguron hidratimin e nevojshëm që zbut kutikulën e flokut dhe njëkohësisht redukton elektricitetin statik. Edhe pse kremi për duar është një zgjidhje e shkëlqyer SOS, ky truk funksionon po aq mirë, në mos edhe më mirë, me një pikë vaj për flokë, serum ose kujdes pa shpëlarje. Thelbi është krijimi i një shtrese shumë të hollë mbrojtëse që “mbyll” lagështinë, zvogëlon fërkimin dhe parandalon që flokët të elektrizohen sërish. Në këtë mënyrë, modeli i flokëve mbetet i rregullt, i butë dhe i kuruar, pavarësisht kapelave, shallit apo kushteve të motit. /Telegrafi/