Meta ka emëruar Dina Powell McCormick, ish-këshilltare e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump dhe drejtuese e gjatë në fushën e financave, si presidente dhe zëvendëspresidente e gjigantit teknologjik. Powell McCormick më parë ka qenë anëtare e bordit drejtues të Metës, ku, siç thekson kompania, ka qenë e përfshirë thellësisht në përshpejtimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale në platformat e saj. Në rolin e ri menaxherial, ajo do të ndihmojë në udhëheqjen e strategjisë së përgjithshme të kompanisë, përfshirë realizimin e investimeve me vlerë miliarda dollarë. Lajmi u përshëndet shpejt edhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili në një postim të tij në Truth Social e quajti këtë vendim “zgjedhje të shkëlqyer” nga CEO i Metës, Mark Zuckerberg, duke theksuar se Powell McCormick ka shërbyer me “forcë dhe dallim” në administratën e tij. Zuckerberg tha se përvoja e saj në financat globale dhe lidhjet e saj ndërkombëtare e bëjnë atë përshtatshme për të ndihmuar Metën në rritjen e saj në të ardhmen. Powell McCormick ka një karrierë të gjatë në financë, duke kaluar 16 vjet në pozicione të larta në Goldman Sachs, dhe ka shërbyer edhe në administratën e presidentit George W. Bush. Ajo është e martuar me senatorin amerikan David McCormick. /Telegrafi/