Ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare Mark Brnovich, ish-Prokuror i Përgjithshëm i shtetit amerikan të Arizonës, i cili ishte nominuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga familja, ndërsa mediat amerikane raportojnë se Brnovich u nda nga jeta papritur. Në një deklaratë publike, familjarët shprehën dhimbjen e thellë për humbjen, duke e përshkruar atë si një baba, bashkëshort, bir dhe vëlla të përkushtuar, raporton N1. Mark Brnovich ishte anëtar i Partisë Republikane dhe shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm i Arizonës nga viti 2015 deri në 2023. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur edhe pozita të tjera të rëndësishme, përfshirë atë të prokurorit federal dhe drejtuesit të Divizionit të Lojërave të Fatit në Arizona. Në mars të vitit 2025, Brnovich u nominua nga Trump për postin e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, por nominimi i tij nuk u konfirmua nga Senati amerikan dhe më vonë u tërhoq. Prindërit e tij ishin emigrantë serbë që kishin ikur nga komunizmi, fakt që u përmend shpesh në profilin e tij publik. Në vitin 2022, ai kandidoi pa sukses për Senatin e SHBA-së. /Telegrafi/