Projekti britanik do ta mbështesë ZKA-në në teknologjinë e informacionit dhe rritjen e sigurisë kibernetike Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi për media në të cilën zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi-Morina dhe drejtori i Departamentit për Auditimet e TI-së, Samir Zymberi të martën pritën në takim David Smith dhe Bertie Kerr, përfaqësues të Kompanisë BAE Systems të Londrës, në fushën e teknologjisë së informacionit përkatësisht sigurisë së sistemeve, si dhe Behar Fazliu dhe Rilind Idrizi nga kompania Arcus në Prishtinë. Sipas një njoftimi thuhet se takimi kishte për qëllim diskutimet për projektin trevjeçar të Qeverisë së Britanisë, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë në fushën e teknologjisë së informacionit me fokus në sigurinë kibernetike. “Ky projekt synon përkrahjen e ZKA-së në fushën e teknologjisë së informacionit, përkatësisht rritjen e sigurisë kibernetike për sistemet e saj dhe zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve për auditimet e teknologjisë së informacionit. Në vijim, palët do të angazhohen për hartimin e memorandumit të bashkëpunimit dhe të planit për realizimin e projektit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/