Përdorimi i ushtrisë për ndryshim të regjimit në Iran do të jetë i rrezikshëm - mos e shndërroni në një Irak tjetër

Nga: Michael Goodwin / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com Fuqia amerikane mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, ashtu siç e përshkroi mjeshtërisht Teddy Roosevelt me thënien e tij të famshme: “Fli qetë, por mbaje pranë një shkop të madh”. Thënë të vërtetën, Donald Trumpi kurrë nuk ka qenë adhurues i artikulimit të prajshëm, por komentet e tij të së martës mbi trazirat në Iran ishin gjithsesi afër kësaj - për momentin. Në një postim të jashtëzakonshëm në platformën Truth Social, drejtuar “Patriotëve iranianë”, presidenti i nxiti: “VAZHDONI PROTESTONI – MERRINI INSTITUCIONET TUAJA!!!” Më pas, ai vazhdoi me atë që duket si një premtim për të përdorur Shkopin e Madh, duke thënë: “Mbajini mend emrat e vrasësve dhe të dhunuesve. Ata do të paguajnë një çmim të madh”. Ai shtoi se kishte anuluar të gjitha takimet me drejtuesit e regjimit, “derisa të ndalet masakra”, dhe e përmbylli me një frazë të fortë: “NDIHMA PO VJEN.” Por, çfarë lloj ndihme? Dhe, kur futet në veprim Shkopi i Madh? Mungesa e detajeve është e qëllimshme, sepse i jep presidentit mundësinë të rrisë presionin, ndërkohë që ruan fleksibilitetin për të negociuar - ose për të përdorur ushtrinë nëse gjithçka tjetër dështon. Kështu, kjo deklaratë mund të lexohet si paralajmërim i fundit që vjen pas raporteve se mullahët e çmendur kishin ndryshuar taktikat e tyre në terren - me pasoja shumë të përgjakshme. Thuhet se urdhrat për “të qëlluar për të vrarë” kanë sjellë më shumë vdekje, me rreth tre mijë civilë të vrarë nga forcat qeveritare. Sipas dëshmive të raportuara nga mediat, trupat ishin urdhëruar të ekzekutojnë protestues të paarmatosur dhe të qëllojnë mbi civilë të rastësishëm në rrugë, madje edhe mbi ata që nuk protestonin. Doni ndryshon tonin Rritja dramatike e përdorimit të forcës duket se e detyroi Trumpin të ndryshojë tonin dhe të shtojë të martën një kërcënim të mundshëm për ndërhyrje ushtarake. Gjuha e tij përfaqësonte një kthesë të qartë drejt ashpërsisë krahasuar me të hënën, kur ai ishte përqendruar më shumë te presioni ekonomik, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave 25 përqind ndaj çdo vendi që do të vazhdonte tregtinë me Teheranin. Kjo në fakt do të thotë embargo, sepse pak vende, mos asnjë, do të pranonin marrëveshjen e tillë. Gjithashtu, embargoja do të nxitë edhe më tej pakënaqësitë e protestuesve, duke pasur parasysh se ishte kryesisht kriza ekonomike - përfshirë kolapsin e monedhës iraniane - që ndezi trazirat në fund të dhjetorit të kaluar. Sipas ABC News, që atëherë protesta pati në 187 qytete në të gjitha 31 provincat e Iranit. Ndërkohë, kursi i këmbimit vijon të bjerë dhe të hënën arriti në nivel të jashtëzakonshëm prej 1.45 milion rialë për një dollar amerikan. Norma e inflacionit në dhjetor u mat në 42.5 përqind. Për të qenë të qartë, Shtëpia e Bardhë prej ditësh bëri me dije se presidenti po peshon përdorimin e veprimeve ushtarake, si reagim ndaj shtypjes së ashpër. Por, në vend të zmbrapsjes, mullahët shtuan sulmet dhe po ashtu ndalën internetin për ta mbajtur botën në errësirë për ngjarjet. Gazeta The Wall Street Journal raportoi se shërbimi Starlink i Elon Musku u bllokua nga qeveria për të penguar civilët për të shpërndarë video të protestave në rritje dhe shtypjes brutale. Përkundër përshkallëzimit të ngjarjeve, përdorimi i ushtrisë amerikane për të sjellë ndryshimin e regjimit do të ishte shumë i rrezikshëm Rrethanat tani janë shumë të ndryshme nga gjendja në qershorin e kaluar, kur Trumpi përdori fuqinë ushtarake amerikane kundër Iranit. Në atë rast, ajo u kufizua vetëm në koordinim me Izraelin dhe përdorimin e disa bombarduesve amerikanë B‑2, për të goditur tri nga objektet bërthamore të vendit me bomba të mëdha që shkatërrojnë bunkerët. Ai veprim erdhi pasi bisedimet me mullahët rreth këtyre objekteve nuk dhanë rezultat, dhe dukej si një paralajmërim, por edhe një ftesë për Iranin për të hyrë në negociata serioze për të ndaluar programin e tij bërthamor. Gjatë gjithë kohës, Trumpi bëri çmos që të bëhej e qartë se ai dëshironte të arrinte marrëveshje, duke ia ngarkuar këtë detyrë këshilltarit të afërt, Steve Witkoff. Por, pavarësisht deklaratave plot shpresë të presidentit dhe takimeve të shumta, Ajatollah Khamenei e hodhi poshtë ofertën e presidentit dhe vazhdoi të kërcënonte Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo la në fuqi sanksionet e rrepta ndaj naftës dhe sistemit bankar. Që atëherë, ekonomia iraniane ka ngecur dhe raportet e shumta flasin për mungesa të energjisë elektrike dhe ujit të pastër, gjë që ka kontribuar në rënien ekonomike dhe dëshpërimin publik. Për më tepër, kapja e udhëheqësit venezuelas Nicolás Maduro nga Trumpi hoqi aleatin kryesor të Iranit në Hemisferën Perëndimore dhe preu më thellë të ardhurat e mullahëve nga kontrabanda e naftës dhe armëve. Anëtarët e Hezbollahut, grupit terrorist të financuar nga Irani me bazë në Liban, gjithashtu ngritën baza në Karakas, gjë që shqetësoi Uashingtonin. Megjithatë, regjimi islamist iranian ka përballuar trazira të mëparshme dhe nuk ka asnjë garanci se trazirat aktuale nënkuptojnë se ai është i destinuar të bjerë. Një ndryshim i mundshëm, këtë herë, është se përhapja e protestave në të gjithë vendin ka bërë që disa vëzhgues të besojnë se kryengritja përbën kërcënim real për kontrollin klerikal dhe rregullat e rrepta për sjelljen dhe veshjen publike, sidomos për gratë dhe vajzat. Megjithatë, kjo nuk është arsye bindëse që ShBA-ja të angazhohet në ndryshim regjimi, gjë që nuk do të ishte aspak e lehtë. Përvoja në Irak ende i përndjek edhe luftënxitësit amerikanë, dhe vetë Trumpi e ka quajtur pushtimin e Irakut, nën udhëheqjen e George W. Bushit, si luftë idiote që i kushtoi Amerikës shumë, si në gjak ashtu edhe në thesar. Rrota e historisë po kthehet rreth e rrotull tani, me Trumpin që përballet me paralajmërime se një përfundim po aq tragjik mund të ndodhë nëse ai ndihmon në rrëzimin e ajatollahut. Mes skeptikëve është edhe Jon Hoffman, një studiues në Institutin “Cato”, i cili beson se misioni i tillë do të kthehej si bumerang. “Sulmi ndaj Iranit rrezikon përfshirjen e Uashingtonit në këtë trazirë të brendshme pa një qëllim të qartë përfundimtar, si dhe rrezikimin e trupave amerikane të stacionuara në gjithë Lindjen e Mesme”, tha Hoffman në një deklaratë. Çështjet e brendshme Ai theksoi se “politikat luftënxitëse të ShBA-së ndaj Iranit, historikisht fuqizuan elementët më të fortë” dhe se veprimi ushtarak “rrezikon të zhvendos temën nga pakënaqësitë e arsyeshme të iranianëve ndaj regjimit te kundërshtarët e tij ndërkombëtarë”, pra Izraeli dhe ShBA-ja. “Tentimi për të përvetësuar opozitën e brendshme në Iran rrezikon ta dëmtojë atë”, shtoi ai dhe pohoi se “qasja pragmatike, pa ndërhyrje direkte, duhet të udhëheqë politikën amerikane në ditët në vijim.” Për më tepër, me Uashingtonin gjithnjë e më shumë të përqendruar te zgjedhjet e mesit të mandatit, Trumpi përballet me kontroversa të brendshme, siç është shtypja e ICE-së [agjencia e emigracionit], dhe - kryesorja - shifrat e këqija të opinionit publik mbi qasjen ndaj ekonomisë. Një mesatare e sondazheve e publikuar nga Real Clear Politics tregon se 41 përqind e të anketuarve miratojnë politikat dhe veprimet ekonomike të tij, ndërsa 56 përqind nuk i miratojnë. Në këtë sfond, dhe me ngjarjet në Venezuelë që ende janë të paqarta, përfshirja ushtarake në Iran ndoshta nuk do të ishte popullore në shtëpi. Kjo nuk do të thotë se ShBA‑ja duhet t’ia kthejë shpinën shtypjes brutale të regjimit. Por, realiteti politik është se presidenti nuk mund të ia lejojë vetes të largohet shumë larg apo për shumë kohë nga çështjet ekonomike dhe sociale të banorëve amerikanë. /Telegrafi/