I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se pret që 2026 të sjellë përparim në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mungesës së rezultateve gjatë vitit 2025. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Sorensen tha se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë për këtë vit dhe se e ka nisur qëllimisht vitin me vizita në Prishtinë dhe Beograd. “Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”, tha Sorensen. Ai theksoi se synimi kryesor i Bashkimit Evropian mbetet rikthimi i palëve në tryezën e dialogut, duke nënvizuar se është e domosdoshme gjetja e një mënyre që kjo të ndodhë. “Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, u shpreh ai. Sorensen kujtoi gjithashtu se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i ka vizituar Kosovën dhe Serbinë vitin e kaluar dhe ka theksuar se një takim në nivel të lartë do të thirret kur kushtet të jenë të përshtatshme. “Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara”, deklaroi Sorensen. Pas vizitës në Kosovë, emisari evropian pritet të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqësit serbë, në kuadër të përpjekjeve për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. /Telegrafi/