Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë theksuar se do të këmbëngulin në zbatimin e vendimit për pagën minimale. FSPTSPK kërkon nga kompanitë private në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse. Lexoni t ë plotë njoftimin: Për herë të dytë, paralajmërojmë kompanitë publiko-private se do të këmbëngulim në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për pagën minimale, që nënkupton 425 euro për punëtorët e këtyre kompanive. Në këtë drejtim, kërkojmë nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse. Ju njoftojmë se nëse pagat e Janarit nuk dalin më rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet tjera arsimore. Andaj, ju ftojmë të reagoni me kohë dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/