Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në Kosovë, proceset zgjedhore, situata e sigurisë, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, si dhe e ardhmja e dialogut me Serbinë. Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e një procesi dialogu të fokusuar në njohjen reciproke. “Procesi i dialogut duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe se suksesi i dialogut varet edhe nga trajtimi barabartë i palëve”, u shpreh Osmani. Ajo gjithashtu kritikoi qëndrimet e Serbisë, duke thënë se është ajo e cila vazhdimisht shkel marrëveshjet. “Serbia vazhdimisht e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kryer akte agresioni, si dhe duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani. Presidentja nënvizoi nevojën për objektiva të qarta dhe rezultate të matshme në procesin e integrimit evropian: “Interpretimi selektiv i marrëveshjeve e dëmton procesin”, tha ajo. Ajo gjithashtu informoi Sorensen për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë. “Zgjedhjet dëshmuan pjekurinë demokratike të shtetit dhe funksionimin e institucioneve në përputhje të plotë me standardet evropiane”, u shpreh Osmani. Në lidhje me marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, presidentja Osmani përshëndeti heqjen e masave ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së partneritetit të plotë dhe të barabartë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, u shpreh Osmani. Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Osmani shtoi se dhënia e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri strategjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e vetë BE-së. Ajo gjithashtu u zotua të vazhdojë punën me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për avancimin e statusit kandidat të Kosovës. “Do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa të mëtejshme për avancimin e statusit kandidat të Kosovës”, tha Osmani. /Telegrafi/