ASK publikon Statistikat e Energjisë - në nëntor të vitit 2025 është prodhuar më shumë thëngjill sesa në nëntor 2024

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Energjisë për muajin nëntor 2025 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë. Sipas njoftimit bëhet e ditur se në nëntor të vitit 2025 është prodhuar më shumë thëngjill sesa në nëntor 2024. "Gjatë muajit nëntor të vitit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 634.84 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 509.47 GWh ose 0,39 % më i madh, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak", thuhet në njoftim. Po ashtu sipas ASK-së, pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 12,14 %. "Importi i energjisë elektrike në nëntor të vitit 2025 ishte 325.04 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 247.29 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit). Prodhimi i thëngjillit për muajin nëntor 2025 ishte rreth 663 413 mijë ton që paraqet një rritje prej 2,94 %, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar", thuhet në njoftimin e ASK-së. /Telegrafi/