Irani ka paralajmëruar vendet fqinje se do të synojë bazat amerikane në shenjë hakmarrjeje për çdo sulm nga Uashingtoni. Agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar të lartë që ka thënë se “Teherani u ka bërë të ditur vendeve të rajonit, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe deri te Turqia, se bazat amerikane në këto vende do të sulmohen nëse SHBA sulmon Iranin… duke u kërkuar këtyre vendeve të parandalojnë Uashingtonin që të sulmojë Iranin”. Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump ka inkurajuar protestuesit iranian që të vazhdojnë protestat dhe të marrin nën kontroll institucionet e vendit, duke thënë se “ndihma është në rrugë” dhe se ata duhet të “ruajnë emrat e vrasësve dhe abuzuesve, sepse do të paguajnë një çmim të madh”. Ai ka paralajmëruar se SHBA-ja do të merrte “veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane vendosin të ekzekutojnë protestues, përfshirë kërcënimin me masa të paparashikuara nëse varja e tyre realizohet, raporton skynews . Gjithashtu lideri amerikan ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë deri sa të ndalet vrasja e protestuesve, duke nënkuptuar ndëshkim për Teheranin nëse dhuna ndaj civilëve vazhdon. Ndryshe, iranianët po protestojnë tash e disa javë shkaku i problemeve ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/