Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar rreth situatës së krijuar me energjinë elektrike, ku sot ka nisur të ketë reduktime. “Keqmenaxhimi i sektorit të energjisë elektrike po i kthehet qytetarëve si ndëshkim kolektiv. Pas viteve të humbura pa investime, pa planifikim dhe pa përgjegjësi, KOSTT del me njoftime për reduktime të energjisë”, ka shkruar Hoti. Ai ka shtuar se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë. “Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore”, u shpreh Hoti. Hoti ka theksuar se çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik. “Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, tha ai. /Telegrafi/