Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka njoftuar se gjendja në sistemin elektroenergjetik të vendit është normalizuar dhe stabilizuar, pas ndërmarrjes së masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji. Sipas KOSTT-it, një rol kyç në stabilizimin e situatës ka pasur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), e cila ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike. "Kjo masë ka garantuar vazhdimësinë e furnizimit, stabilitetin e sistemit dhe integritetin e rrjetit elektroenergjetik", thuhet në njoftim. KOSTT ka bërë thirrje që të gjitha palët pjesëmarrëse në tregun e energjisë të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, me qëllim të sigurimit të një operimi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit. Po ashtu, KOSTT ka bërë të ditur se do të mbetet në gjendje të gatishmërisë operative, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe performancën e sistemit, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë operative. /Telegrafi/