Gazetari i afërt me Juventusin flet për situatën e Edon Zhegrovës te "Zonja e Vjetër"

Gazetari i afërt me Juventusin, Romeo Agresti , që punon në Goal Italia, ka folur për situatën e Edon Zhegrovës në Torino. Ai ka theksuar se klubi bardhezi po vazhdon të punojë me durim me futbollistin kosovar dhe se vlerësimi përfundimtar do të varet nga gjendja e tij fizike. “Juventus vazhdon të punojë me Edon Zhegrovën. Duhet të kemi durim, e di se kemi arritur në gjysmën e janarit dhe është pak e pakuptimtë një fjalë e tillë por klubi ka bërë një rrezikim sepse bëhet fjalë për një futbollist që nuk kishte luajtur një kohë të gjatë". "E kuptoj se ndonjë tifoz mund të fillojë të ketë dyshime, por gjithçka varet nga gjendja e tij fizike". "Nëse Juventus e fiton këtë sfidë, Zhegrova do të jetë një futbollist që mund të ketë të ardhme konkrete në Torino”, ka deklaruar Agresti. Edon Zhegrova u transferua te Juventusi nga Lille gjatë afatit kalimtar të verës, si një investim me rrezik të llogaritur nga klubi italian. Deri tani, 25-vjeçari ka regjistruar 17 paraqitje në të gjitha garat, prej të cilave 16 i ka nisur nga stoli, duke u aktivizuar kryesisht si alternativë gjatë ndeshjeve. Edhe pse ende nuk ka arritur të shënojë gol apo të asistojë, Zhegrova ka dhënë shpesh shkëndija pozitive me driblimet, shpejtësinë dhe kreativitetin e tij në krahë, elemente që kanë treguar potencialin e tij ofensiv. /Telegrafi/