Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike në vend. Ndërprerjet e shpeshta dhe pa paralajmërim po godasin drejtpërdrejt sektorin prodhues, duke shkaktuar humbje të mëdha për bizneset në mbarë Kosovën. Në ditët e fundit, përfaqësuesit e Lidhjes kanë marrë ankesa të shumta nga komuniteti i biznesit. Vizitat në terren, përfshirë regjionin e Pejës, kanë konfirmuar një gjendje alarmante: ndërprerjet e vazhdueshme po dëmtojnë pajisjet, pengojnë planifikimin normal të prodhimit dhe ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit. “Është e papranueshme që në vitin 2026 qytete të tëra të mbeten pa furnizim me energji elektrike për orë të tëra, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Akoma më shqetësuese është fakti se qytetarët dhe bizneset po paguajnë energji gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërkohë që furnizimi mbetet i pasigurt dhe i paqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Lidhjes. Lidhja e Bizneseve të Kosovës i kërkon institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, të sigurojnë transparencë dhe paralajmërim paraprak për çdo ndërprerje, si dhe të mbrojnë sektorin prodhues, i cili është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit në vend. “Bizneset e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e keqmenaxhimit energjetik”, deklaroi kryetari i Lidhjes, Besart Dreshaj.