Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për gjendjen e ujit të pijshëm në Kosovë, duke theksuar se në disa zona cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum, ndërsa në disa të tjera uji nuk rekomandohet për pije për shkak të turbullirës së rritur. Rajoni i Prishtinës Sipas IKSHPK-së, fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Batllavë prodhojnë ujë brenda standardeve të lejuara për pije. Ndërkaq, në fabrikën e Badocit, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për konsum. Fabrika Drenas/Bivolak aktualisht funksionon me kapacitet të zvogëluar, por cilësia e ujit mbetet e pranueshme për pije. Në Lipjan dhe Kuzmin uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Vragoli dhe Miradi e Poshtme uji nuk rekomandohet për pije. Rajoni i Mitrovicës Në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm. Rajoni i Ferizajt Në Ferizaj dhe Shtërpcë uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Han të Elezit rekomandohet që uji të përdoret vetëm për nevoja teknike. Rajoni i Gjilanit Në Gjilan uji është brenda standardeve të lejuara për pije. Në Viti, për shkak të turbullirës së rritur, uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike. Rajoni i Pejës Në Pejë dhe Junik cilësia e ujit është e përshtatshme për pije. Ndërkaq, në Deçan, përfshirë ujësjellësin e Deçanit, Strellc dhe Drenoc, uji rekomandohet vetëm për përdorim teknik. Në lagjen “Agim Ramadani”, si dhe në Istog (ujësjellësi i Istogut, Vrellë dhe Mbivada) dhe Klinë (rrjeti i puseve dhe burimi i Jarinës), uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike. Rajoni i Gjakovës IKSHPK bën të ditur se furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum. Megjithatë, në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë, janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije. Rajoni i Prizrenit Burimi i ujit nga “40 Bunarët” në qytetin e Prizrenit është brenda standardeve të lejuara për ujë të pijshëm. Po ashtu, në Suharekë dhe Dragash uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Malishevë rekomandohet përdorimi i ujit vetëm për nevoja teknike. IKSHPK ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri, duke bërë thirrje që të respektohen rekomandimet deri në stabilizimin e plotë të parametrave të ujit.