Liverpooli mund ta padisë Arsenalin për incidentin që ndodhi gjatë derbit

Liverpooli mund të “padisë” rivalët e tij, Arsenalin, për incidentin e ndodhur në fund të barazimit 0-0 në 'Emirates Stadium', sipas ish-drejtuesit të PGMOL “Të Kuqtë” arritën të ndalnin kryesuesit e Ligës Premier me një barazim pa gola të enjten, në një ndeshje ku momenti më i diskutuar ishte dëmtimi i Conor Bradleyt në minutat e fundit. Mbrojtësi i Irlandës së Veriut pësoi një dëmtim të rëndë teksa tentonte të largonte topin në krahun e djathtë dhe mbeti i shtrirë në fushë, duke shfaqur dhimbje të mëdha. Gabriel Martinelli, i futur si zëvendësues gjatë ndeshjes, mendoi se Bradley po vononte lojën dhe hodhi topin mbi të, përpara se ta shtynte jashtë vijës anësore. Ky veprim shkaktoi reagim të ashpër nga lojtarët e Liverpoolit, ndërsa Martinelli u ndëshkua me karton të verdhë për sjelljen e tij. Më vonë u konfirmua se Bradley kishte pësuar një dëmtim serioz në gju, i cili kërkoi ndërhyrje kirurgjikale dhe e përjashtoi atë nga pjesa e mbetur e sezonit. Edhe pse Martinelli kërkoi falje publikisht në rrjetet sociale dhe zbuloi se kishte shkëmbyer mesazhe me Bradleyn, incidenti vazhdoi të mbetej temë diskutimi. Keith Hackett, ish-gjyqtar i Ligës Premier dhe ish-kreu i PGMOL-it, sugjeroi se Liverpooli mund të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. “Kam qenë së fundmi i përfshirë në çështje gjyqësore, ku një lojtar e çon në gjykatë një tjetër, me pretendimin se një dëmtim i ka shkatërruar karrierën”. “Gjithmonë ekziston ai rrezik dhe një klub mund të përpiqet ta padisë një lojtar, sepse ka humbur shërbimet e futbollistit të tij”. “Është një pikë e vlefshme për t’u ngritur, sepse në futboll, në përgjithësi, lojtarët kanë një detyrim kujdesi ndaj kundërshtarëve”. “A mund të kishte ndërhyrë gjyqtari më herët? Ajo që është befasuese është se disa njerëz nuk e kuptuan sa serioz ishte dëmtimi, pasi nuk pati një reagim të tepruar”, ka deklaruar Hackett./ Telegrafi /