​“Kanë menduar që është ari”, vjedhje e rëndë në kishën e Brusit në Lipjan

Në kishën katolike shqiptare në Brus të Lipjanit, mëngjesin e së martës janë vjedhur gjësende fetare. Deri më tani nuk kanë arritur të identifikohen personat që kanë kryer këtë vjedhje, meqë në këtë kishë e as përreth nuk ka kamera, raporton KosovaPress. Prifti i kësaj kishe katolike, Don Kolë Zefi i ka treguar KosovaPress-it se kur ka ndodhur ky rast dhe çfarë është vjedhur. “Rasti ka ndodhur të martën para sabahut, diku rreth orës 3 përafërsisht e kanë demoluar kishën dhe kanë vjedhur ketë këtu, sigurisht kanë menduar që është ari dhe atje brenda në tjetrën dhomë, gjë tjetër nuk kanë prekur…përafërsisht nuk e di sa ka qenë, por këto kushtojnë, sa euro, sa mijë, nuk e di”, tha ai. Ai shtoi se kjo është hera e parë që brenda kësaj kishe janë vjedhur gjësende fetare. Kjo kishë katolike shqiptare daton qysh prej 90 vitesh. “Më ka shqetësuar normalisht se kjo për herë të parë ndodhë në këtë kishë, kurrë nuk ka ndodhur por po ndodhë në shumë kisha… në askënd nuk dyshoj, policia e ka në dorë, tragun e kemi gjet këtu para derës edhe në drejtim të Janjevës është”, shton ai. Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli tha se njësia e hetimeve dhe forenzikës është duke e hetuar këtë rast. Megjithatë, ende nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar për vjedhje. “Rreth orës 09:10 (dje) është raportuar rasti në kishën katolike në fshatin Brus se nga disa persona të paidentifikuar, deri janë vjedhur disa pajisje të cilat shërbejnë për rite fetare aty. Policia e Kosovës, saktësisht stacioni policor në Lipjan i është përgjigjur menjëherë rastit me njësinë e hetimeve dhe njësinë e forenzikës, të cilët e kanë trajtuar rastin në fjalë dhe në bashkëpunim me personat përgjegjës të kishës katolike, priftin e kishës dhe një person përgjegjës i cili e ka vërejtur mungesën e pajisjeve në fjalë janë takuar atje dhe e kanë trajtuar rastin ne fjalë. Këto janë pajisje të cilat nuk janë të përmasave te mëdha edhe që ka mundur të jetë personi edhe një këmbësor i rastit aty. Sipas informacioneve kisha nuk ka qenë e mbyllur me çelës, gjë që personat e dyshuar apo personi i dyshuar pa bërë ndonjë dëm ka depërtuar, ka hyrë brenda dhe ka dalë për shkak se nuk ka qenë e mbyllur me ndonjë çelës”, ka njoftuar Shatrolli. Kjo vjedhje është cilësuar si e rëndë marrë parasysh që është kryer në një objekt fetar, siç parashohin ligjet e Kosovës.