Zogaj: Vendimet në LDK merren në institucione, jo në rrjete sociale

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Alban Zogaj, i cili nuk arriti të jetë pjesë e kësaj legjislature të Kuvendit, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke theksuar se LDK nuk është parti e rrjeteve sociale, por e institucioneve të saj. Zogaj ka deklaruar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka ofruar dorëheqjen në mënyrën më korrekte dhe demokratike, përmes Kuvendit të LDK-së, duke respektuar procedurat dhe organet vendimmarrëse të partisë. “Kjo është sjellje institucionale dhe e përgjegjshme”, ka theksuar Zogaj. Ai ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta imponuar largimin e kryetarit përmes presionit publik, fyerjeve apo fushatave të orkestruara është e rrezikshme si për LDK-në, ashtu edhe për demokracinë e saj të brendshme. Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për reflektim, analizë dhe unitet, e jo për linçim dhe përçarje, duke ritheksuar se vendimet merren në Kuvendin e LDK-së, ashtu siç i takon një partie serioze dhe institucionale.