KEK rikthen në operim Njësinë B1, thotë se prodhimi i energjisë funksionon me kapacitete të plota

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer me sukses në operim, duke funksionuar në mënyrë të qëndrueshme teknike dhe në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë. Sipas KEK-ut, rikthimi i Njësisë B1 nënkupton se korporata aktualisht po operon me kapacitete të plota prodhuese, pasi në operimin e rregullt angazhohen katër njësi prodhuese. Kjo situatë garanton stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik në vend. Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1, sipas njoftimit, ka qenë pasojë e rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. KEK bën të ditur se këto çështje janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë. Në të njëjtën kohë, KEK ka sqaruar opinionin publik lidhur me ndarjen e përgjegjësive në sektorin energjetik, duke rikujtuar se roli i saj është i përcaktuar qartë me legjislacion dhe licenca përkatëse. Që nga viti 2013, KEK sh.a. ka përgjegjësi ekskluzive për eksploatimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve të rregulluar me energji elektrike është kompetencë e kompanisë së furnizimit dhe nuk përfshihet në mandatin e KEK-ut. KEK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe transparent, duke garantuar siguri energjetike, stabilitet të prodhimit vendor dhe informim të rregullt, të saktë dhe objektiv të publikut për gjendjen reale operative.