Sorensen takoi edhe komandantin e KFOR-it në vizitën e tij në Prishtinë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë, në vizitën e tij të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Sorensen ka zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë, ndërsa ka takuar edhe komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneral major Ozkan Ulutaş. Sipas njoftimit të misionit të NATO-s në Kosovë, në takim është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Gjeneral Major Ulutaş theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim. Vizita e Sorensenit vjen në një periudhë të ndjeshme politike pas zgjedhjeve, ndërsa dialogu Kosovë–Serbi mbetet një nga proceset kyçe për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.