Inspektorati Shtetëror i Tregut do të forcohet me 40 inspektorë të rinj

40 inspektorë të rinj do ta forcojnë ekipin e Inspektoratit shtetëror të tregut në periudhën e ardhshme, të cilët do të ndihmojnë edhe në kontrollet e shtuara të punës së objekteve gastronomike, siç parashikon propozim- ligji i ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit. Ministri i ekonomisë Besar Durmishi tha se pas këtyre punësimeve do të bëhet analizë për të parë nëse ka nevojë për inspektorë të tjerë. “Pra, rreth 40 është numri i inspektorëve të ri që do të shpërndahen në të gjithë shtetin. E dimë se ka pjesë në të gjitha qytetet, kështu që do të shohim si do të ecin punët pas këtij forcimi dhe nëse ka nevojë për punësime shtesë, do të dalim para opinionit dhe do ta njoftojmë këtë”, tha Besar Durmishi, ministër i ekonomisë. Numri i inspektorëve në Inspektoratin shtetëror të punës dhe në Inspektoratin shtetëror të tregut është rreth 200. Durmishi tha se ka informuar Qeverinë se ka nevojë për punësime të reja. “Te Inspektorati shtetëror i punës kemi, mos gaboj me shifrat, 80 të punësuar, pra 80 inspektorë, ndërsa te Inspektorati shtetëror i tregut rreth 120. Që nga koha kur këto dy inspektorate, sipas ndryshimeve të ligjit, e humbën të drejtën e subjektit juridik dhe hynë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, që atëherë kam informuar Qeverinë se duhet të kemi më shumë inspektorë në këto dy inspektorate, veçanërisht në Inspektoratin shtetëror të tregut”, u shpreh Besar Durmishi, ministër i ekonomisë. Pikërisht inspektorët e Inspektoratit shtetëror të tregut dhe të Inspektoratit të punës do të duhet të kryejnë kontrolle të shtuara për të gjitha objektet gastronomike që nuk do ta respektojnë ndalimin e pirjes së duhanit, ndërsa gjobat do të lëvizin nga 100 euro për personat fizikë, deri në 5.000 euro për kompanitë më të mëdha që nuk do t’i respektojnë dispozitat e reja ligjore pasi ato të hyjnë në fuqi. Propozim- ligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit tashmë është publikuar në Regjistrin nacional elektronik të rregulloreve dhe i njëjti do të duhet t’i nënshtrohet debatit publik nga palë të ndryshme të interesuara, para se të shkojë përpara deputetëve në Kuvend./Alsat/