Maroku eliminon Nigerinë pas penalltive dhe prek finalen e Kupës së Afrikës

Kombëtarja e Marokut ka siguruar kualifikimin në finale, pas triumfit në penallti ndaj kombëtares së Nigerisë, pasi 120 minuta nuk mjaftuan për t’u përcaktuar fituesi. Maroku u shfaq më kërkues në pjesën e parë, duke rrezikuar që në minutat e hershme. Brahim Diaz dhe Achraf Hakimi provuan nga distanca, ndërsa rasti më i pastër erdhi në minutën e 39-të, kur Noussair Mazraoui u ndal nga një pritje spektakolare e portierit Stanley Nwabali, një nga figurat kryesore të ndeshjes për Nigerinë. Nigeria reagoi me kundërsulme të rrezikshme, ku Ademola Lookman testoi portierin Bono, ndërsa loja u karakterizua edhe nga ndërhyrje të forta dhe kartonë të verdhë, me Calvin Bassey dhe Raphael Onyedika që u ndëshkuan. Në pjesën e dytë, Maroku vazhdoi presionin. Abde Ezzalzouli pati dy raste shumë të mira për shënim, por në të dyja herët u ndal nga pritjet vendimtare të Nwabalit. As ndryshimet taktike nga Walid Regragui, përfshirë aktivizimin e Youssef En-Nesyri, nuk arritën të ndryshojnë rezultatin. As koha shtesë nuk solli zgjidhje, pavarësisht freskimit të skuadrave me zëvendësime dhe përpjekjeve të fundit për të gjetur golin e fitores. Pas 120 minutash, rezultati mbeti i pandryshuar, duke e çuar ndeshjen drejt ekzekutimit të penalltive. Në penallti më të saktë u treguan Maroku që fituan me rezultat 4-2 dhe tashmë do të përballen në finale me Senegalin./ Telegrafi /