Një gjë është e qartë: Rendi perëndimor që dikur njihnim, është pjesë e historisë

Burimi: The Guardian (titulli: Whether or not Trump invades Greenland, this much is clear: the western order we once knew is history ) Përkthimi:Telegrafi.com Donald Trumpi po kërcënon të pushtojë Grenlandën - territor i një aleati në NATO - ndoshta edhe me forcë ushtarake, ashtu siç po përpiqet Vladimir Putini të pushtojë Ukrainën. Edhe nëse nuk e bën këtë realisht, kjo tashmë është një epokë e re: një botë post-perëndimore me çrregullim ndërkombëtar joliberal. Është e dyfishtë detyra e tashme për demokracitë liberale në përgjithësi, dhe për Evropën në veçanti : të shohim botën ashtu siç është dhe të kuptojmë çfarë dreqin duhet të bëjmë për këtë. Një sondazh ndërkombëtar i opinionit publik, i publikuar sot, është pikënisje e dobishme. Ai u realizua në nëntor të vitit kaluar, në 21 vende - për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR) - në bashkëpunim me projektin tonë kërkimor Evropa në një botë që ndryshon në Universitetin e Oksfordit (ju lus ta lexoni raportin e plotë , të cilin e kam shkruar bashkë me Ivan Krastevin dhe Mark Leonardin). Ky është sondazhi i katërt në një seri që kemi bërë çdo vit , që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Putini në vitin 2022, ndaj mund të shohim se si gjërat kanë evoluar - nga shumë keq dikur, tani në momente kritike. Në vitin 2022 pamë një Perëndim transatlantik të bashkuar në indinjatë ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës, por të ndarë nga fuqitë e tjera të mëdha dhe të mesme, si Kina, India dhe Turqia, të cilat ishin të gatshme të vazhdonin biznesin - si zakonisht - me Rusinë. Ekonomia ruse po mbijetonte përballë sanksioneve të paprecedenta perëndimore, sepse ato shtete të tjera tashmë kishin mjaftueshëm pasuri dhe fuqi për të balancuar edhe një Perëndim të bashkuar. Pra, kjo veçse ishte një botë post-perëndimore, por ende me një Perëndim që vepronte brenda saj. Trumpi 2.0 e ka ndryshuar këtë. Tani kemi një botë post-perëndimore, por pa një Perëndim gjeopolitik të bashkuar që vepron në të. Nëse duhet t’ia atribuojmë ndonjë koherencë strategjike narcisizmit të paqëndrueshëm të Trumpit, qasja e tij është më afër asaj të Putinit sesa e cilitdo president amerikan që nga viti 1945. Siç e shpjegon haptazi krahu i tij i djathtë, Stephen Miller, ata besojnë se bota “qeveriset me fuqi ... me forcë ... me pushtet”. Evropianët e kanë kuptuar këtë. Për habi, më pak se një në pesë evropianë kontinentalë (në një mesatare të 10 vendeve të BE-së që kemi anketuar) dhe vetëm një në katër britanikë tani e shohin ShBA-në si një vend aleat. Në Ukrainë, kjo shifër ka rënë në 18 përqind. Ne, evropianët, ende e shohim ShBA-në si “një partner të domosdoshëm”, por jo si aleat. Edhe pjesa tjetër e botës po zgjohet me këtë. Përderisa në sondazhin tonë të parë , 60 përqind e të anketuarve kinezë mendonin se qasjet amerikane dhe evropiane ishin të njëjta ose të ngjashme (d.m.th. ekziston një Perëndim i vetëm), tani vetëm 43 përqind mendojnë kështu, ndërsa një shumicë e qartë mendon se ato janë të ndryshme. Tash për tash, Perëndimi është histori. Pra, çfarë duhet të bëjmë për këtë? Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është të vazhdojmë të qajmë për humbjen e “sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, duke bërë thirrje të zgjedhura për ligjin ndërkombëtar (Ukraina, por jo Gaza), teksa vazhdojmë me paqësimin servil të Trumpit. Në të njëjtën kohë, padyshim që nuk duam të sillemi si ai apo si Putini. Ajo që na duhet është një ndërkombëtarizëm i ri: më i shpejtë, më fleksibil, më i rreptë. Të refuzojmë përdorimin e forcës, por të përqafojmë përdorimin e pushtetit. Të mos fiksohemi për strukturat dhe aleancat ekzistuese, por të kërkojmë një gamë më të gjerë partnerësh, në mënyrë pragmatike, nga një rast te tjetri. Të shqetësohemi më pak për rregullat, më shumë për rezultatet; më pak për procesin, më shumë për përparimin. Kjo është një sfidë veçanërisht për BE-në institucionale, shembullin përfundimtar - të ngadaltë, të bazuar në rregulla dhe të ngarkuar me procese - të rendit liberal ndërkombëtar të viteve '90 të shekullit XX. Megjithatë, tashmë kemi nisur ta bëjmë këtë për Ukrainën, me një kombinim të ri të një koalicioni të të gatshmëve dhe vetë BE-së që po lëviz me shpejtësi të paprecedent për standardet e Brukselit. Siç argumentova muajin e kaluar , duhet të përgatitemi urgjentisht për të mbështetur një Ukrainë të pavarur edhe pa ndihmën e ShBA-së. Po me Grenlandën ? Së pari, duhet të udhëhiqemi në gjithçka që bëjmë nga qeveritë e zgjedhura të Grenlandës dhe Danimarkës. Kjo, në fund të fundit, është ajo që na dallon ne demokratët liberalë nga imperialistët autoritarë. Të mërkurën, Danimarka dhe disa nga aleatët e saj evropianë në NATO shpallën dërgimin e trupave të mëtejshme në Grenlandë. Ministrat e jashtëm të Grenlandës dhe Danimarkës pastaj u takuan në Uashington me nënpresidentin JD Vance, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe u pajtuan të krijonin një grup pune të nivelit të lartë. Është mjaft e qartë se mosmarrëveshja bazike nuk është zgjidhur. Të gjitha shenjat tregojnë se Trump do të bëhet më ekstrem dhe më i paparashikueshëm me kalimin e kohës dhe me rritjen e vështirësive të tij të brendshme. Ja disa sugjerime. Për të theksuar angazhimin evropian, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer duhet të vizitojnë Grenlandën, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen. Ata duhet të shoqërohen nga kryeministri kanadez, Mark Carney, pasi Kanadaja është aleate në NATO dhe është fqinja reale perëndimore e Grenlandës dhe e prekur drejtpërdrejt nga pasiguria në Arktik. Nëse mund të shkojnë me tren për në Kiev, mund të shkojnë me aeroplan në Nuuk. Për çudi, kjo vizitë mund të jetë po aq e rëndësishme sa vetë angazhimi për sigurinë, sepse gjuha e dytë e presidentit Trump është televizioni. Ai do ta marrë mesazhin nga pamjet. Një numër zyrtarësh ndërlidhës evropianë dhe kanadezë, të dukshëm dhe me uniforma të dallueshme, duhet të vendosen në Grenlandë për një kohë të pacaktuar. Të martën, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se nëse duhet të zgjedhin, “ne zgjedhim Danimarkën ... ne zgjedhim BE-në”. Prandaj, BE-ja duhet të gjejë shumë shpejt një mënyrë për të rritur mbështetjen e saj financiare që aktualisht është e vogël për Grenlandën - dhe jo siç është planifikuar për periudhën e re buxhetore që fillon në vitin 2028. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, që të hipin në aeroplan për në Nuuk. Ndërkohë që janë atje, ata duhet të nisin një diskutim strategjik për një marrëdhënie të mundshme të afërt në të ardhmen midis një Grenlande të pavarur dhe BE-së. Është mjaft e qartë se BE-ja e së nesërmes do të ketë një gamë marrëdhëniesh të personalizuara me fqinjët kryesorë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Turqinë dhe Kanadanë. Pse jo edhe me Grenlandën? Ndërkohë, Evropa - partneri më i madh ekonomik i ShBA-së - duhet të shqyrtojë privatisht gamën e plotë të reagime ekonomike (përfshirë, për shembull, shitjen e bonove të Thesarit amerikan) që mund të ndërmarrë në rastin ende të pamundur të një Trumpi që urdhëron pushtimin ushtarak, në stilin e Putinit, të Grenlandës. Përmbledhja e këtyre planeve të emergjencës mund t’i përcillet në mënyrë diskrete Shtëpisë së Bardhë, përmes sekretarit të Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent, ose dhëndrit të presidentit, Jared Kushner. Pa dyshim që ka edhe lëvizje të tjera të mundshme, por drejtimi i përgjithshëm është i qartë: një Evropë (dhe Kanada me demokraci të tjera liberale) që projektojnë forcë të qetë, pushtet dhe vendosmëri. Një nga gjetjet më dëshpëruese në sondazhin tonë është se evropianët janë liderë botërorë në pesimizëm. Gati gjysma e tyre nuk besojnë se BE-ja mund të përballet në mënyrë të barabartë me fuqitë globale - si ShBA-ja dhe Kina. Nëse fillojmë ta zbatojmë këtë ndërkombëtarizëm të ri, më shpejtë dhe më fortë, ndoshta më shumë evropianë do t’i besojnë përsëri Evropës. /Telegrafi/