Pas vetëm shtatë muajsh në detyrë, Xabi Alonso u largua nga Real Madridi “me marrëveshje të dyanshme” pas humbjes 3-2 ndaj rivalëve historikë të Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Për të zëvendësuar Alonson, ish-lojtari i Real Madridit dhe Liverpoolit, Alvaro Arbeloa, u promovua nga roli i tij në Castilla, skuadra B e Madridit. Megjithatë, gjërat nuk nisën mirë për Arbeloan, i cili udhëhoqi Real Madridin drejt eliminimit të dytë në kupat vendase brenda pak ditësh, duke humbur 3-2 ndaj klubit të divizionit të dytë, Albacete, në turin e 16-të të Kupws sw Mbretit. Menjëherë pas këtij rezultati, raporte kanë zbuluar se si reagoi dhoma e zhveshjes së Madridit ndaj humbjes, dhe nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen e Arbeloas në detyrë. Por ndoshta më dëmtues se vetë rezultati janë detajet mbi reagimin e lojtarëve të Real Madridit, të cilat i përshkruan gazetari spanjoll Jose Luis Sanchez, duke e përshkruar dhomën e zhveshjes si “një varr i vërtetë” gjatë një prononcimi në El Chiringuito. Ai pretendoi se asnjë lojtar nuk foli pas ndeshjes, me Arbeloan që u detyrua të hynte dhe t’i ngushëllonte ata, duke i kërkuar skuadrës të riorganizohej përpara sfidës së ardhshme në La Liga ndaj Levantes, ndërsa ai pranoi se ishte më përgjegjësi për humbjen befasuese. Reagimi i një dhome zhveshjes me disa nga lojtarët më të rëndësishëm dhe liderë në Real Madrid ngre pyetje mbi mënyrën se si ndihen yjet e klubit për emërimin e Arbeloas, veçanërisht pas raporteve që shumë prej tyre kishin pasur mosmarrëveshje me trajnerin e mëparshëm, Alonso. Komentet e Arbeloas pas ndeshjes përputhen me detajet e raportit të Sanchezit, me trajnerin e ri të Real Madridit që merr përgjegjësinë e plotë për rezultatin./ Telegr afi /