Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka thënë të enjten se Ankaraja është kundër veprimeve ushtarake në Iran dhe përparësia e saj është të shmangë destabilizimin. "Ne jemi kundër një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit", tha Fidan në një konferencë për shtyp në Stamboll, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Ai ka shtuar se Turqia do të vazhdojë iniciativat e saj diplomatike në lidhje me Iranin. "Ata janë nën sanksione për shkak të disa politikave rajonale dhe ndërkombëtare që kanë ndjekur. Ne i themi Iranit, duhet të zgjidhësh problemet e tua në rajon", shtoi ai. Ministri i Jashtëm turk argumentoi gjithashtu se disa njerëz po i keqinterpretojnë protestat që vijnë nga problemet dhe ankesat e justifikuara ekonomike si një kryengritje kundër regjimit. "Kjo po krijon një zonë gri", citohet të ketë thënë ai. I pyetur në lidhje me njoftimin e fundit të administratës Trump se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me një tarifë të re prej 25%, e cila ka të ngjarë të zbatohet për Turqinë, Fidan tha se ishte vetëm një deklaratë dhe jo një "dekret konkret presidencial". Si rezultat, ai theksoi se Turqia ende nuk e ka vënë në axhendën e saj shqyrtimin e tarifave të reja. /Telegrafi/