Arabia Saudite, Katari dhe Omani udhëhoqën përpjekjet për të bindur Presidentin e SHBA-së Donald Trump të mos bënte një sulm ndaj Iranit, duke pasur frikë nga "goditjet e rënda në rajon", ka thënë të enjten një zyrtar i lartë saudit për AFP. Treshja e Gjirit "udhëhoqi një përpjekje të gjatë dhe diplomatike të minutës së fundit për të bindur presidentin Trump që t'i jepte Iranit një shans për të treguar qëllim të mirë", tha zyrtari në kushte anonimiteti, duke shtuar se dialogu po vazhdonte. Disa personel u zhvendosën nga një bazë e madhe ushtarake amerikane në Katar të mërkurën, dhe stafi në misionet amerikane në Arabinë Saudite dhe Kuvajt u paralajmërua të tregonte kujdes ndërsa frika u rrit nga një sulm i SHBA-së për shkak të shtypjes së protestuesve nga Irani. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se mund të ndërhyjnë kundër një shtypjeje vdekjeprurëse të qeverisë iraniane ndaj protestave, ndërsa Teherani ka thënë se do të hakmerret me sulme ndaj objektivave ushtarake dhe të anijeve amerikane. Ndryshe, shumë baza dhe asete amerikane ndodhen në Gjirin Persik. Por pas disa kërcënimeve, Trump ndryshoi kursin, duke thënë se kishte marrë informata nga "burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër" se Irani nuk do të ekzekutonte demonstruesit. Dhe përpjekjet e Gjirit kishin për qëllim “të shmangnin një situatë të pakontrollueshme në rajon”, tha zyrtari saudit. “Ne i thamë Uashingtonit se një sulm ndaj Iranit do të hapte rrugën për një seri goditjesh të rënda në rajon”, shtoi zyrtari. “... komunikimi është ende duke u zhvilluar për të konsoliduar besimin e fituar dhe frymën e mirë aktuale”. Një tjetër zyrtar i Gjirit tha se “mesazhi që iu përcoll Iranit ka qenë se një sulm ndaj objekteve amerikane në Gjirin Persik do të kishte pasoja në marrëdhëniet me vendet në rajon”. / Telegrafi /