IKSHPK përditëson të dhënat, përmirësohet cilësia e ujit në disa Rajone

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas rezultateve të analizave të datës 15.01.2026, situata e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës, ku cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara. Megjithatë, përjashtim bëjnë rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku janë evidentuar disa problematika specifike. Rajoni i Gjilanit Në zonën e Kamenicës, përkatësisht në Stacionin nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda kufijve të lejuar dhe konsiderohet e sigurt për pije. Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, zonën Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar. Si pasojë, uji në këto zona nuk rekomandohet për pije. Rajoni i Pejës Në komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit të pijshëm është në përputhje me standardet e lejuara. Ndërkohë, në Klinë, përkatësisht rrjeti i ujit nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije. IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e dhëna dhe njofton se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik./Telegrafi/