Startupi i Mira Muratit humbet dy bashkëthemelues, ata rikthehen në OpenAl

Startupi Thinking Machines Lab, i ish-drejtoreshës ekzekutive të OpenAI, Mira Murati, po u thotë lamtumirë dy prej bashkëthemeluesve të tij, të cilët do të kthehen në OpenAI. Edhe një tjetër ish-punonjës i OpenAI që filloi të punonte për startup-in e Muratit po kthehet gjithashtu në kompani. Vetë Murati njoftoi largimin e Barret Zoph, bashkëthemeluesit dhe drejtorit teknologjik të kompanisë. “Jemi ndarë me Barretin”, tha Murati, shkruan Tech Crunch . “Soutith Chintala do të jetë drejtori i ri teknologjik i Thinking Machines. Ai është një udhëheqës i shkëlqyer dhe me përvojë, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme në fushën e Inteligjencës Artificiale për më shumë se një dekadë dhe ka qenë një kontribues i madh në ekipin tonë. Jemi shumë të emocionuar që ai të marrë përsipër këtë përgjegjësi të re”, shtoi ajo. Njoftimi i Muratit nuk përmendi largime të tjera. Vetëm 58 minuta pas njoftimit të saj për largimin e Zoph, ka reaguar Fidji Simo, Drejtori Ekzekutiv i aplikacioneve në OpenAI. “Jam i emocionuar të mirëpres Barret Zoph, Luke Metz dhe Sam Schoenholz përsëri në OpenAI! Kjo ka qenë në proces për disa javë dhe jemi të emocionuar që i kemi bashkuar ekipit”, tha Simo. Ndërsa lëvizjet e talenteve midis gjigantëve të Al janë të zakonshme në Silicon Valley, largimi i bashkëthemeluesve nga një startup më pak se një vit pas themelimit të tij është veçanërisht i dukshëm. Humbja e dy bashkëthemeluesve njëkohësisht - veçanërisht kur njëri shërbeu si CTO - mund të perceptohet si një pengesë veçanërisht domethënëse për Thinking Machines, e cila kishte mbledhur një ekip të profilit të lartë të ish-studiuesve të OpenAI, Meta dhe Mistral. Kompania ka humbur edhe personel të tjerë kyç, përfshirë bashkëthemeluesin Andrew Tulloch, i cili u largua për t'u bashkuar me Meta në tetor. /Telegrafi/