Kuba pranon mbetjet mortore të 32 ushtarëve të vrarë në sulmin amerikan ndaj Venezuelës

Kuba ka nderuar 32 ushtarët e saj që u vranë në një sulm të Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës në fillim të këtij muaji, që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro. Mbetjet mortore të ushtarëve, të cilët ishin anëtarë të forcave të armatosura dhe agjencive të inteligjencës së Kubës, mbërritën në aeroportin ndërkombëtar të Havanës, në arkivole të mbështjella me flamurin kubanez. Presidenti Miguel Diaz-Canel dhe Raul Castro, ish-udhëheqësi kubanez 94-vjeçar në pension, ishin të pranishëm me uniforma të plota ushtarake për të marrë eshtrat, shkruan Al Jazeera . Diaz-Canel i përshëndeti ushtarët më herët këtë javë, duke thënë se ata “ranë heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të një kombi motër”. Ministri i Brendshëm Gjenerali Lazaro Alberto Alvarez shprehu gjithashtu mirënjohjen e vendit për ushtarët që ai tha se kishin “luftuar deri në plumbin e fundit”. Një autokolonë i transferoi më vonë eshtrat në ministrinë e forcave të armatosura përgjatë njërit prej bulevardeve kryesore të Havanës, të rrethuar nga mijëra njerëz që bënin homazhe, duke valëvitur flamuj dhe duke përshëndetur. Banorët e kryeqytetit gjithashtu u rreshtuan për të shprehur respektin e tyre gjatë gjithë ditës. Ndryshe, tensionet midis SHBA-së dhe Kubës u përshkallëzuan këtë javë pasi Trump i tha vendit se do të ndërpresë vajin dhe paratë venezueliane që të arrinin në ishull, duke e paralajmëruar Havanën të bënte një marrëveshje para se të ishte “tepër vonë”. Komentet e Trumpit shkaktuan një përgjigje sfiduese nga Diaz-Canel, i cili tha se Kuba do ta mbronte atdheun e saj "deri në pikën e fundit të gjakut". /Telegrafi/