Vedat Muriqi: Nuk kam asnjë dyshim se RCD Mallorca do të qëndrojë në La Liga

Ka qenë java më e vështirë për RCD Mallorca dhe tifozët e saj, pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet ndaj Gironës dhe Rayos. Të dielën pati edhe përplasje verbale me tifozët, ndërsa skuadra ndodhet shumë pranë zonës së rënies nga kategoria. Në këtë situatë të tensionuar, sulmuesi Vedat Muriqi ka folur për radion “COPE”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt tifozëve të Mallorcas dhe duke bërë thirrje për bashkim. “Nëse i prishim lidhjet me tifozët me edhe 19 ndeshje për t’u luajtur, atëherë kemi mbaruar”. Muriqi theksoi se e kupton plotësisht frustrimin e tifozëve për paraqitjet e dobëta dhe kritikat se skuadra nuk po lufton mjaftueshëm. Ai është i bindur se gjërat do të ndryshojnë, edhe pse paradoksalisht 11 golat e tij rekord në gjysmën e parë të sezonit nuk kanë mjaftuar për ta përmirësuar pozitën e ekipit, diçka që e ka pranuar publikisht edhe trajneri Jagoba Arrasate. Sulmuesi kosovar është i bindur se Mallorca do të ketë një gjysmë të dytë sezoni shumë më të mirë dhe kujton mbështetjen e tifozëve në momentet më të vështira, veçanërisht mbijetesën dramatike nën drejtimin e Javier Aguirres. “Më kujtohet gjithmonë ai vit kur Granada na mposhti rëndë. Dola për darkë dhe disa tifozë më inkurajuan, duke më thënë se kishim edhe tri ndeshje dhe mund të shpëtonim. U habita shumë. Dua që tifozët të vazhdojnë të jenë kështu, sepse kjo na ndihmon të qëndrojmë në kategori. Nuk kam asnjë dyshim se kjo skuadër do të mbetet në elitë”. Muriqi foli edhe për përvojën e tij me presionin e madh në Turqi. “Kam luajtur edhe në Turqi, ku presioni është shumë më i madh dhe nuk ta falin asnjë gabim. Për shembull, te Fenerbahce duhet të jesh si robot. Është e pamundur”. Debatet me tifozët të dielën, sipas tij, kanë qenë më konstruktive nga sa është raportuar. Edhe pse u përfol për një përplasje të ashpër mes disa tifozëve dhe Mojicas, Muriqi dhe disa bashkëlojtarë të tij patën biseda të qeta me pjesën tjetër të tifozëve. “Disa prej nesh lojtarëve ishim aty, ashtu si Alfonso Diaz, duke biseduar me tifozët. Thirrëm edhe një drejtues për të qetësuar situatën. U thashë se askush në skuadër nuk dëshiron të humbasë pas vetëm pesë minutash lojë. Askush nuk dëshiron të jetë në këtë situatë. Na thanë se nuk po dukej pasioni. I kuptoj dhe jam dakord, sepse rezultatet nuk po na shkojnë mbarë. Është detyra jonë ta ndryshojmë këtë”. “Nëse fillojmë të përçahemi me 19 ndeshje të mbetura, kemi mbaruar. Duhet të fillojmë të fitojmë dhe ta kthejmë situatën. Me shtatë pikë mund të jesh i dhjeti. Tifozët duhet të na mbështesin siç kanë bërë gjithmonë. E përsëris, nëse i shkatërrojmë të gjitha, nuk ka kuptim”. Muriqi pranon se skuadra vuan nga mungesa e besimit dhe se duhet të krijohen më shumë raste. “Ka pak mungesë besimi. Nëse shikon renditjen, të gjithë jemi shumë afër. Nuk po them se marrëdhënia me tifozët është prishur, por më parë nuk na fishkëllenin. Duhet të ndërtojmë më shumë lojë, ndonjëherë na mungon pasimi final. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë. U flas gjithmonë shokëve të skuadrës, e dinë që unë jam aty për çdo top në zonë dhe përpiqem t’i bind të fusin më shumë topa”. Muriqi shprehu pakënaqësi edhe për gjykimin, veçanërisht për penalltinë e dhënë ndaj Valjentit në Vallecas dhe për faullet që i akordohen vazhdimisht kundër tij në duelet ajrore. “Është diçka që as nuk dua ta mendoj, sepse më zemëron shumë. Më thonë që jam më i fortë dhe, për shkak se jam më i fortë, faulli qenka i imi? Shpeshherë më bëjnë faull dhe nuk fishkëllitet asgjë”. Sa i përket lidershipit, sulmuesi i Mallorcas thekson se nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr ekipin. “Gjithë jetën time, pas vdekjes së babait, kam qenë lider i familjes sime. Isha shtatë vjeç kur ai vdiq dhe fillova të punoja në moshën tetëvjeçare. Gjithmonë kam qenë lider. Në fushë kemi kapitenë si Rai dhe Martin, unë nuk kam nevojë për shiritin. Përpiqem të ndihmoj, të flas, të bërtas në fushë. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe shokët e skuadrës më respektojnë”./ Telegrafi