Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim të ngushtë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar sot ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Anglia për në Kosovë. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet angleze, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Ekstradimi është bërë i mundur falë bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore. Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informatave dhe bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të veprimtarive kriminale, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit./Telegrafi/